Shoqata "17 Shkurti.ch" që tubon bashkatdhetarët e këtij fshati për çdo vit shpenzon mbi 5000 franga vetëm për mirëmbajtjen e pastërtisë së fshatit
Fshati Dobërçan, edhe pse gjendet në Kosovë, në komunën e Gjilanit, çdo ditë e më tepër po u përngjan fshatrave zvicerane.
Me shportat për mbeturina, drunj zbukurues rreth lumit, parkun e gjelbëruar, me varreza të mirëmbajtura si dhe me dy punëtorë, të cilët punojnë për çdo ditë për pastërtinë e fshatit skaj më skaj, nuk mund të jetë ndryshe nga një fshat i organizuar mirë.
Një projekt tjetër i radhës që është realizuar nga shoqata "17shkurti.ch" nga Zvicra është ai i riciklimit të mbeturinave të aluminit (kanaqeve) si dhe plastikës (shisheve). Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Avni Kastrati, ky projekt i riciklimit ka kushtuar rreth 300 franga zvicerane dhe ka për qëllim që mbeturinat jo vetëm të zhduken, por të mundim edhe t’i shfrytëzojmë ato, pra t'i riciklojmë.
Janë blerë gjithsej 10 shporta, në të cilën do të mblidhen shishet e plastikës veç dhe ato nga alumini, apo më mirë të themi kanaqet veç.
"Ky projekt mendoj se është shumë i mirë, por ka ardhur si vullnet dhe kërkesë e bashkëfshatarëve të Dobërçanit. Shpresoj që edhe fshatrat dhe qytetet e tjera në Kosovë të veprojnë ngjashëm, në mënyrë që përveç ta pastrojmë ambientin nga mbeturinat, edhe të përfitojmë nga to", tha Kastrati.
Ai gjithashtu shtoi se shoqata "17shkurti.ch" angazhohet me vite të tëra që fshatin Dobërçan ta bëjë një ndër fshatrat më të pastra në Kosovë. Sipas tij, kjo shoqatë për çdo vit shpenzon mbi 5000 franga vetëm për mirëmbajtjen e pastërtisë së fshatit dhe thotë se edhe bashkëfshatarët janë vetëdijesuar për pastërtinë dhe të gjithë së bashku kanë arritur që ky fshat të jetë shumë i pastër.
Ky projekt i riciklimit të mbeturinave është edhe një hap më tutje për ta mbrojtur ambientin.
Shoqata "17shkurti.ch" është themeluar në shkurt të 2009-ës në Zvicër nga bashkëfshatarët e Dobërçanit që jetojnë në diasporë, e veçanërisht në Zvicër. Ajo deri tash ka kryer një numër të madh projektesh në Dobërçan, duke ndërtuar shtëpi, duke u ndihmuar familjeve nevojtarë, duke i ndihmuar të sëmurët që kanë pasur nevojë për të holla.
Me moton "së bashku për fshatin" familja 4 anëtarëshe Sherifi, me tre fëmijë jetim, nga fshati Dobërqan festën e Fitër Bajramit e priti më gëzim të veçantë. Atyre iu dhuruan çelësat për shtëpinë e re të ngritur me kontributin e Shoqatës 17shkurti.ch nga Zvicra. Kryetari i kësaj shoqate, Agron Zahiri deklaron të jetë ndarë shumë i prekur me gjendjen e kësaj familje, qysh në muajin maj të këtij viti kur kishin ardhur në këtë fshat për të ndarë ndihma. Që atëherë kishte propozuar ndërtimin e shtëpisë dhe për dy muaj kjo shoqatë ia ka dalë ta nisë aksionin, në mënyrë që me rastin e festës së Bajramit të Madh kësaj familje t'ia dorëzojë çelësat e shtëpisë së re. Ndërsa, anëtari i kryesisë së shoqatës "17 Shkurti", Sabit Ibishi shpjegon se mjetet janë grumbulluar nga bashkëkombësit që jetojnë në Zvicër dhe nga banorët e fshatit Miresh. Veprimtari Arsim Hyseni shpjegon se edhe ne si firmë në mënyrë simbolike iu kemi bashkëngjit këtij projekti e kemi ndihmu. dhe tash gëzon fakti pikërisht ditën e bajramit me ju dorëzuar çelësat familjes. Në këtë aksion janë inkorporuar edhe veprimtarë tjerë nga Zvicra. Ndërsa, zonja e shtëpisë së re Fatime Sherifi ndihet e emocionuar për një dhuratë të tillë pothuaj të papritur. Ajo shpjegon se tash tri vite i ka vdekur burri dhe se atëherë "17 Shkurti" iu ka sjellë vetëm ndihma dhe më pastaj kanë ardhur një ditë për ta nisur ndërtimin e shtëpisë. "Dhe jam e gëzueshme shumë s'ka koment ma të madh", thotë Fatimja. Jo vetëm në festa por çdoherë ndihmat e bashkëkombësve tanë në mërgatë janë ato të cilat ua kthejnë buzëqeshjen nevojtarëve në vendin tonë.